Mashtrim i Disney-t? Historitë e përgjakshme që fshihen pas filmave më të famshëm për fëmijë


Si mund të lidheshin 7 xhuxhët e “Borëbardhës” me fëmijët që punonin në shekullin e 16-të, të cilët ishin shpërfytyruar nga kushtet e tyre të mjerueshme të jetesës? Dhe kush do ta kishte menduar se historia origjinale pas “Hirushes” përfshinte gishta të prerë? Shumë prej filmave për fëmijë të Disney-t fshehin histori të përgjakshme pas tyre.

Tregimtarë të mëdhenj të së kaluarës, si vëllezërit Grimm, huazuan lëndën e parë nga realiteti për të sjellë tregimet e tyre në ekranin e madh. Sidoqoftë, heronjtë realë nuk patën gjithmonë të njëjtin fat. Më tej, shumë prej tyre thuhet se kanë qenë persona realë, të cilët në shumicën e rasteve kanë përjetuar ngjarje tragjike. Këtu janë disa histori të rënda…

Hirushja

Historia e Hirushes u bë më e njohur në filmin e Disney-t në vitin 1950. Është një përrallë që ka pësuar shumë variante, shumë kohë përpara se të përfundonte e kthyer në film. Historia e një vajze të quajtur Hirushja u shkrua në 1634 nga Giambattista Basile dhe u rishkrua në 1697 nga Charles Perrault. Në versionin e vëllezërve Grimm, motrat e Hirushes prenë copa të këmbëve të tyre për t’u futur në këpucë dhe përfundimisht tradhtohen nga gjaku u rridhte. Në fund pëllumbat, hakmerren për mënyrën se si motrat dhe njerka e keqtrajtuan Hirushen dhe i heqin sytë në mënyrë torturuese.

Borëbardha

Në vitin 1994, historiani gjerman Eckhard Zander botoi “Borëbardha: A është një përrallë?”, ku ai pretendoi se kishte gjetur prova se Borëbardha ishte një person real dhe historia e saj frymëzoi vëllezërit Grimm. Sipas tij, personazhi i Borëbardhës bazohej në jetën e Margaret von Waldeck, një konteshë gjermane nga Bavaria, lindja e së cilës daton rreth vitit 1533.

Kur Margaret mbushi 16 vjeç, ajo u përball me zilinë e njerkës së saj, Katarina nga Hatzfeld. Ajo ishte xheloze për bukurinë e saj të pashoqe dhe e dërgoi në Bruksel për ta hequr qafe. Atje, e reja ra në dashuri me një princ, i cili më vonë u bë Filipi II i Spanjës. Babai dhe njerka e saj nuk e miratuan këtë marrëdhënie, të cilën e cilësuan si pengesë politike. Margaret vdiq në mënyrë misterioze në moshën 21-vjeçare, e kishte dyshime të forta se ajo ishte helmuar. Sipas historianëve që u morën me historinë, mbreti i Spanjës, i cili gjithashtu ishte kundër martesës së djalit të tij me konteshën e re, dyshohet se dërgoi njerëzit e tij për ta vrarë atë.

Babai i Margaretës zotëronte miniera bakri, ku shumë fëmijë punonin si skllevër dhe kushtet e vështira u shkaktonin vdekjen e hershme. Ata që mbijetuan, megjithatë, kishin probleme serioze në zhvillimin e tyre, për shkak të kequshqyerjes dhe punës së rëndë fizike. Rezultati ishte shtrembërimi i gjymtyrëve. Këta fëmijë shpesh quheshin “xhuxha të varfër” dhe kjo shpjegon 7 xhuxhat. Për sa i përket mollës së helmuar, që në përrallë i jepet Borëbardhës nga njerka e maskuar si plakë, ajo nuk u frymëzua vetëm nga Grims. Duket se ata e kanë “huazuar” nga një legjendë gjermane, për një të moshuar të arrestuar për dhënien e mollëve të helmuara fëmijëve që i vidhnin frutat.

Rapunzel

“Rapunzel” ka kaluar nëpër penën e shumë autorëve dhe ka pësuar disa ndryshime. Princesha e Disney-t jeton e izoluar në një kullë me atë që ajo beson se është nëna e saj, derisa një bandit simpatik, Flynn Rider, e ndihmon atë të arratiset. Të dy bien në dashuri dhe Rapunzel preu flokët e saj të gjatë, të cilët ishin eliksiri sekret i rinisë së “nënës së saj”. Rapunzel arrin të gjejë prindërit e saj të vërtetë. Në fund ajo martohet me Flynn dhe ata jetojnë të lumtur përgjithmonë. Një nga versionet e shkruara për Rapunzelin, Gothel e rrëzon Rider nga kulla, duke e bërë atë të bjerë në gjemba dhe të verbohet.

Notredam de Paris

Kjo përrallë tregon historinë e Kuazimodos, i cili jeton një jetë të gënjeshtrët të krijuar nga komandanti Frollo, që e shpëtoi kur nëna e tij e braktisi si foshnjë në shkallët e kishës. Në film Kuazimodo takon bukuroshen Esmeralda dhe bie në dashuri me të, por Frollo dëshiron ta vrasë sepse është cigane. Në fakt, Kuazimodo që jeton i izoluar bie në dashuri me Esmeraldën, por ajo dashurohet me kapitenin Phoebus. Në fund, Frollo vdes dhe dyshja Quasimodo – Esmeralda shpëtojnë. Por në versionin real, siç është shkruar nga Victor Hugo, Frollo është gjithashtu i dashuruar me Esmeraldën. Kur ajo e refuzon, ai e vari. Kuazimodo vret Frollon dhe pastaj duke përqafuar trupin e pajetë të ciganes, ai vdes nga uria. Vitet kalojnë dhe varri hapet. Ajo që shohin parisienët, janë skeletet e tyre të përqafuara.

Pocahontas

Pocahontas ishte një person real dhe filmi i Disney-t bazohet në historinë e Mataoka, vajzës së kryetarit të fisit indian Powhatan. Në maj 1607, rreth 100 kolonë anglezë u vendosën përgjatë lumit James në Virxhinia dhe themeluan Jamestown, koloninë e parë angleze në Amerikë. Megjithatë, shumë vdiqën nga uria, sëmundjet dhe sulmet indiane derisa gjetën shpëtimtarin e tyre tek 27-vjeçari John Smith. Në një nga eksplorimet e tyre në dhjetor 1607, Smith dhe dy të tjerë u kapën nga luftëtarët Powhatan. Për një kohë, historia ngjan me filmin vizatimor. Megjithatë, në moshën 17-vjeçare, Pokahontas thuhet se u rrëmbye nga anglezët dhe përmendet se mund të ketë qenë viktimë e abuzimit dhe përdhunimit. Një nga rrëfimet më të përhapura thotë se gjatë një prej shtatzënive të saj, ajo u pagëzua me forcë si e krishterë dhe u martua me një burrë që kultivonte duhan.

Ata jetonin në Angli dhe atje ajo u detyrua të njihej me mënyrën e jetesës dhe sjelljen evropiane. 2 vjet më vonë, burri i saj vendos të kthehet, por Pokahontas nuk arriti ta shihte më klanin e saj, pasi vdiq. Disa thonë se kur mori vesh lajmin për shfarrojsjen e fisit të saj nga anglezët helmoi veten.

Mulan

Historia e Mulan ende nuk është konstatuar nëse është e vërtetë apo një vepër e trilluar. Versioni më i hershëm i njohur i Mulan vjen nga një këngë popullore e dinastisë Wei, e cila daton ndër vitet 368 deri në 557 pas Krishtit. Quhet “Balada e Mulanit” dhe përshkruan versionin e të resë heroike që luftoi në vend të babait të saj. Kur u thirr për të luftuar, ai ishte i moshuar dhe i pafuqishëm. Kështu Mulan shkoi në luftë për rreth 10 ose 12 vjet. Kontributi i saj në luftë ishte i jashtëzakonshëm, por kur perandori u përpoq ta shpërblente për shërbimet e saj, ajo i tha atij se një titull nuk i vlente dhe gjithçka që ajo dëshironte ishte një kafshë (një deve në disa përkthime ose një kalë në të tjera) me të cilën të shkonte në shtëpi dhe të shihte familjen e saj. Perandori i dha asaj atë që kërkoi dhe ajo filloi udhëtimin e saj të kthimit. Kur mbërriti në fshat, veshi rrobat e vjetra, bëri flokët dhe grimin. Kur ajo takoi ushtarët, të cilët luftuan së bashku, të gjithë u habitën që Mulan ishte një grua. Historia e dashurisë dhe konflikti me Shan Yu është një shtesë e Disney.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *