“Fillova të dridhesha e tëra, mu afrua dhe më tha…”/ E përjashtuan nga festivali, rrëfimi i rrallë i këngëtares së njohur shqiptare: Çfarë ndodhi në zyrën e Ramiz Alisë


Këngëtarja Myfarete Laze me zërin e saj të veçantë ka bërë për vete breza të tërë shqiptarësh, të cilët e kanë duartrokitur pafund në skena të ndryshme. Myfarete Laze ka rrëfyer kohë më par kalvarin e saj si këngëtare në komunizëm, për shkak të biografisë së keqe.Ajo thotë se gjyshi i saj, Mile Xhafo Laze ishte pushkatuar pas marrjes së pushtetit.

Për këtë arsye, ishte e vështirë për të hyrë në shkollën e muzikës “Prenk Jakova”.Mezi arriti të hynte në gjimnaz, për shkak të “biografisë së keqe”, por kengetarja rrefen si ia doli mbanë që të merrnit pjesë në Festivalin e RTSH­së.

“Sapo do hyja në derën e pasme të sallës, roja më thotë se do kalosh te kjo dhoma tjetër dhe do të takosh Marash Hajatin, drejtorin e Televizionit. Shtanga! “E dija, ndodhi”, thashë me vete. Kur shkova aty, drejtor Marashi, një burrë fisnik dhe autoritar, pasi më përshëndet me përzemërsi, më thotë se na pret Ramiz Alia në KQPPSH. Por mos u shqetëso. Ramizi më parë kishte marrë në telefon Çesk Zadenë dhe e kishte pyetur sesi kisha mundur të hyj në Festival.

Pra, problemi ishte i mprehtë. Nisemi direkt me makinën e tij për në KQ. Te dera, roja menjëherë i tha Marashit se:

“Shoku Ramiz ju pret lart”. U ngjitëm me vrap. Në fillim hyri Marashi. Ai ndenji brenda rreth 5 minuta dhe pastaj doli. M’u afrua dhe më tha për çdo gjë thuaj s’di gjë. U preva e tëra. Fillova të dridhesha. S’e di sesi u futa brenda. Isha gati të më binte të fikët. Sapo futem në zyrë, Ramizi më foli plot mirësjellje. S’u besoja syve se isha në zyrën e Ramiz Alisë. As e mendoja kurrë në jetë se do të shkelja në atë zyrë. Pasi më pyeti si i kisha nga shtëpia etj. më thotë: “Si munde të hysh në Festival?” ­Po ja, shkova u paraqita për konkurrim, pasi vij nga Shkodra me një biografi të pasur me çmime e përfaqësime”. Lotët më rridhnin vetiu. “Mirë, mos qaj. Ke një zë shumë të bukur dhe ke kënduar shumë mirë. Por ja, nga Konispoli dhe Saranda na kanë ardhur shumë letra për biografinë tënde” dhe më tregoi poshtë në dysheme një pirg me letra. S’dija ç’të flisja. Rrija si e hutuar. Ai e kuptoi gjendjen time dhe më thotë: “Do shkosh të këndosh. Këndo bukur”. Sa nuk fluturova nga gëzimi. “Nisu shpejt”­ më tha. Pas 20 minutash duhej të isha në skenë. Sa të shkoja sa të vishesha etj., duhej kohë. Sa dola në korridor, Marashi më mori për krahu dhe vrapuam si atletë. Nuk e di kur hyra në sallë si u vesha dhe çfarë vesha. Por çdo gjë u bë fluturimthi. Dikujt i mora këpucët, dikujt tjetër karficën apo ku di unë. Një minutë para se të përmendej emri im, isha gati ashtu e gjysmuar. Këndova me tërë forcën e shpirtit. Kur mbarova, duartrokitjet nuk kishin të mbaruar. Qava nga gëzimi. Kisha realizuar ëndrrën më të madhe të jetës.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *