“O kuku babë m’rroki” dëshmitari rrëfen për vr.asjen e 15 vjeçarit dhe babait të tij në Gradicë


Dëshmitari Valdrin Muja tha se në ditën kritike, pas të shtënave të armës, i ndjeri A.M, kishte thënë “o kuku babë m’rroki”, në rastin ku Xhaver dhe Amir Badhi akuzohen se si rezultat i një mosmarrëveshje pronësore, kanë privuar nga jeta të miturin A.M 15-vjeçar dhe prindin e tij B.M.

“Ka kërsitë arma, e ka rrokë djalin mbrapa A., A. ka thanë o kuku babë m’rroki, dhe ka vrapu në drejtimin tim. Ku aty A. është deshë vetë dhe ka ra në duart e mija dhe ia kam dhënë ndihmën e parë”, tha dëshmitari Muja.

I njëjti në seancën e së martës shtoi se pas kësaj, është goditur me armë edhe i ndjeri B., në anën e djathë të kokës, i cili gjendej rreth 3 metra larg tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjithashtu, dëshmitari tha se është dëgjuar i akuzuari Xhafer Bardhi duke thënë “ik bir se u ba puna m**”.

Në pyetjen e prokurorit Bashkim Zeqaj se a i kujtohet dëshmitarit kush nga të akuzuarit kishte armë në dorë, i njëjti është përgjigjur se nuk i kujtohet.

I pyetur se a ka pasur i ndjeri B.M., ndonjë armë me vete në ditën kritike, dëshmitari Muja është përgjigjur se nuk ka pasur asgjë tjetër përveç motorit të sharrës.

Gjithashtu, kur është pyetur se si ka qenë konfiguracioni i terrenit, ai tha se të akuzuarit Xhafer dhe Amir Bardhi kanë ardhur prej së larti, ndërsa këta kanë qenë poshtë dhe i kanë vërejtur të akuzuarit për shkak të dritave.

Ndërkaq, mbrojtësi i të dëmtuarës Selvete Muja, avokati Ndrec Dodaj pyeti dëshmitarin se malin e shtetit siç e ka potencuar Muja, a e kanë shfrytëzuar vetëm familja Muja apo edhe bashkëfshatarët e tjerë.

“Kush ka mujt ka marrë dru, e kanë shfrytëzu krejt”, tha dëshmitari.

I pyetur se si i ka njohur të pandehurit në ditën kritike pasi që edhe ka qenë natë, i njëjti është përgjigjur se përmes lëvizjeve të dritave të cilat i kishin të vendosura në kokë.

“Gjatë lëvizjes së dritës, drita i ka ra njëri- tjetrit, të njëjtit kanë komuniku mes veti dhe në bazë të zërit i kam dëgjuar se kanë qenë Xhaferi me Amirin”, shtoi ai.

Mbrojtësi i të akuzuarit Xhafer Bardhi, avokati Haxhi Millaku pyeti dëshmitarin se në këtë thënien “ikë bir se u ba puna m**” a e kishte dëgjuar para apo pas humbjes së vetëdijes, ku dëshmitari tha se e ka dëgjuar pasi që ka humbur vetëdijen.

Kurse, i pyetur se a e mbështet deklaratën e dhënë më 6 maj 2021 në zyrën e prokurorit, i njëjti u përgjigj se nuk e mban në mend këtë deklaratë.

Për shkak të përfundimit të orarit, shqyrtimi i sotëm është ndërpre dhe seanca e radhës është caktuar më 13 dhe 19 dhjetor 2022.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 28 shkurt 2022, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të pandehurit Xhafer Bardhi dhe Amir Bardhi po akuzohen se më 5 prill 2021 në vendin e quajtur “Zabel” në pyllin e fshatit Gradicë, për shkak të një mosmarrëveshje pronësore rreth së drejtës së shfrytëzimit të malit, me dashje të pandehurit Bardhi në bashkëkryerje kanë privuar nga jeta të miturin tani të ndjerin A.M 15-vjeçar dhe prindin e tij B.M.

Aktakuza thotë se të njëjtit kanë vënë në rrezik dhe jetën e personave tjerë, të dëmtuarave Valdrin, Valmir dhe Driton Muja, në atë mënyrë që derisa i pandehuri Amir Bardhi ka qenë duke ecur rrugës së malit bashkë me djalin e axhës së tij, dëshmitarin Fisnik Bardhi, aty takohen me të dëmtuarin Valdrin Muja i cili ka shkuar nga mali, vendi ku ka qenë duke prerë dru, për ta marrë traktorin dhe për të ngarkuar drunjtë të cilat kanë qenë duke i prerë në mal.

Më pas, aktakuza thotë se Amiri e ka pyetur Valdrinin se çka jani duke bërë dhe se i njëjti i tregon se janë duke prerë drunj në mal dhe më pas i dëmtuari Valdrin vazhdon rrugën në drejtim të vendit ku kanë qenë duke prerë dru, ndërsa Amiri dhe Fisniku po ashtu ndahen.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Amiri nëpërmjet telefonit e njofton të pandehurin Xhafer se të dëmtuarit janë duke prerë drunj në mal të cilët bisedojnë për 62 sekonda.

I pandehuri Xhafer i cili ka qenë në shtëpi, thuhet se i merr dy drita për ndriçim të cilat vendosen në kokë, merr armën-pushkën e gjuetisë dhe nisët më veturën e tipit “Golf 2” e rrugës bëhen bashkë të dy të pandehurit dhe vazhdojnë në drejtimi të vendit ku të dëmtuarit kanë qenë duke prerë drunj.

Aty, i pandehuri Amir thuhet se ka kontribuar në kryerjen e veprës penale, duke ndriçuar me njërën dritë për të krijuar mundësinë për gjuajte të pandehurit Xhafer, e po ashtu edhe i pandehuri Xhafer ka ndriçuar me njërën dritë dhe menjëherë ky i fundit ka shtënë me armë në drejtim të të dëmtuarit tani të ndjerit A.M i cili në atë moment bërtet “babë më rroki”.

Pastaj, kur i ndjeri B.M dhe i dëmtuari Valdrin shkojnë në drejtim të A.M për t’i dhënë ndihmë, atëherë thuhet se i pandehuri Xhafer prapë shkrep dhe e qëllon tani të ndjerin B.M në kokë, ku më pas i thotë të pandehurit Amir “ikim bir se u bo m**”.

Aktakuza thotë se në vendin e ngjarjes janë gjetur 16 gëzhoja të vogla me të cilat i kanë rrezikuar edhe të dëmtuarit Valdrin,Valmir dhe Driton Muja, të cilët kanë qenë prezent duke prerë dhe bartur drunj, ku këta dy të fundit janë alivanosur pas dy të shtënave.

Gjithnjë sipas aktakuzës, për të ndjerin A.M në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Drenas konstatohet vdekja e tij, ku vdekja e tij është e dhunshme dhe ka ardhur si rrjedhojë e gjakderdhjes masive të brendshme dhe të jashtme si pasojë e veprimit dinamik të predhave të hedhura nga arma e gjuetisë.

Ndërsa, i ndjeri B.M pëson lëndime të rënda trupore ku më 15 prill 2021 ndërron jetë në QKUK edhe ai si pasojë e plagëve vdekjeprurëse.

Me këtë të pandehurit Bardhi akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vr.asje e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.1, 1.5 dhe 1.11 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Kurse, sipas dispozitivit të dytë të kësaj akuze, i pandehuri Xhafer në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla ka pasur në posedim armën-pushkën e gjuetisë të cilën e ka punuar vet.

E me këtë, i pandehuri Xhafer Bardhi akuzohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *