“BB VIP Kosova”/ Dalin detaje nga spektakli, ja disa nga emrat që lakohen si konkurrentë


Sytë e të gjithë publikut po qëndrojnë në pritje të “Big Brother Kosova”, ku me interes po priten kush do të jenë banorët e kësaj shtëpie. Ndonëse ishte lajmëruar që do të niste në shtator, teknikalitetet e kanë shtyrë këtë format, që pritet të nisë në fund të nëntorit. “Panorama Plus” zbuloi kohë më parë se Olti Curri do të ishte opinionist i këtij formati, çfarë do të thotë batuta dhe ‘thumba’ pafund përgjatë 100 ditëve.

Opinionistja tjetër do të jetë Tuna. Artistja nga Maqedonia, e cila është nënë e dy fëmijëve, po rikthehet në ekran, por jo si këngëtare. “Big Brother” do të transmetohet këtë vit për herë të parë në Kosovë në formatin “Vip”. Teksa prej muajsh përflitet data e fillimit të këtij spektakli, akoma nuk ka diçka zyrtare. Së fundmi, moderatori i reality-showt, Alaudin Hamiti, ka zbuluar pak nga skena e “Big Brother Vip Kosova”. Moderatori ka publikuar një foto në “Instastory”, ku nuk ka zbuluar shumë, por kjo është një nga pamjet e rralla të skenës, duke pasur parasysh se produksioni ka qenë mjaft i “fshehtë” në lidhje me detajet e programit.

Disa kohë më parë u konfirmua se ajo që e mbante peng këtë reality-show të fillonte ishte shtëpia, punimet e së cilës akoma nuk kishin përfunduar. E ftuar në një intervistë, moderatorja Jonida Vokshi u shpreh se shtëpia e “Big Brother Vip Kosova” është drejt fundit, ka mbetur vetëm të vendoset data e nisjes së transmetimit. Gjatë kësaj periudhe, kuriozitet të madh ka pasur edhe për konkurrentët pjesëmarrës. Gjatë kësaj interviste, aktorja u pyet mbi emra konkretë, ndonëse hezitoi të zbulonte më tepër.

“Emra nuk zbulojmë dot, por harta është shumë e larmishme për faktin se ka shqiptar nga Shqipëria, shqiptar nga Kosova, shqiptar nga diaspora Elvana Gjata është një nga emrat që është lakuar më së tepërmi për të qenë pjesë e “BBVK”. E dini tashmë se këngëtarja është shoqja e ngushtë e Vokshit. Nuk kishte si të mungonte pyetja e drejtpërdrejtë për moderatoren mbi praninë e Elvanës. Jonida e theksoi se mikja e saj nuk do të jetë pjesë e reality-show-t në Kosovë. “Jo, nuk do të jetë Elvana, këtë të paktën e konfirmojmë. Bukur do ishte, por jo”, përfundoi Jonida Vokshi.

Ndërkohë, emri që po përflitet së fundmi është ai i Bleros. Duket se pas ndarjes nga Afrona, artisti do të ketë mundësinë të reflektojë, por edhe të deklarohet rreth kësaj historie, këtë herë si pjesë e formatit të famshëm. Alaudini ka folur shpesh në media rreth projektit që i është besuar. Duke folur në një lidhje ‘Skype’ për “ABC e Mëngjesit”, moderatori tregoi se në fillim iu bë oferta për ta prezantuar i vetëm “BBVIP Kosova”.

Por më pas, bashkë me drejtuesit e televizionit vendosën që të merrnin dhe dikë tjetër dhe kështu zgjodhën Jonidën. Sipas Alaudinit, duhej një figurë nga Shqipëria, pasi tërheq audiencën. “Në fakt, e kemi pasur këtë opsion që të jem vetëm, por rrugës e kemi menduar bashkë me pronarët që të kemi edhe dikë nga Shqipëria. Pasi “Klan Kosova” është futur edhe në Shqipëri dhe për të tërhequr audiencën. Jonida është një prezantuese shumë e mirë sepse kemi udhëhequr edhe Çmimet Oscar me të”, tha ai.

Kujtojmë se disa kohë më parë dhe Jonida ka folur mbi eksperiencën e re që e pret dhe momentin kur mori propozimin. “Ftesën për të qenë pjesë e projektit si fillim e mora nga telefoni pasi ndodhesha në Tiranë. I hipa makinës menjëherë dhe u nisa drejt Prishtinës. E kam pritur me shumë qejf, dëshirë dhe vlerësim këtë lajm. Jam e nderuar të jem pjesë e këtij projekti kaq të madh, që sigurisht do të shënjojë një pikë të rëndësishme në karrierën time. Pritet që të jetë një super spektakël që do të bëhet pjesë e çdo familjeje shqiptare deri në javën e fundit”, u shpreh ajo.

Ndryshe, përgatitjet janë drejt përfundimit dhe spektakli “Big Brother VIP Kosova” pritet që shumë shpejt të nisë rrugëtimin për audiencën e gjerë kudo ku flitet shqip, përmes “Klan Kosova” dhe “ArtMotion”. Surprizat nga ky megaproduksion, i cili vjen për të parën herë në Kosovë, do të vazhdojnë. Teksa Alaudini do jetë moderator i “Big Brother VIP” në Kosovë, Arbana do jetë në “Big Brother VIP” në Shqipëri në dhjetor.

Gjatë një interviste në “n’Za”, Alaudini u pyet se cili ishte komenti i prezantueses së formatit në Shqipëri në një nga takimet e përbashkëta, të cilat kanë pasur, si përfaqësues të shteteve që kanë licencën e formatit “Big Brother”. Me doza humori, Alaudini tha i ka thënë “Edhe ju këtu?”. Prezantuesi i njohur i ‘Klan Kosova’ zbuloi më pas se Arbana i ka thënë që çdo gjë do të shkojë mirë nëse u përmbahen rregullave të patentës. Gjithashtu, zbuloi se procesi i sigurimit të të drejtave të “Big Brother” për Kosovën ka nisur në tetor të vitit të shkuar dhe është mbajtur për muaj të tërë sekret. /Panorama Plus


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *